Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka përkujtuar sot Betejën e Loxhës, duke e vlerësuar atë si një ndër momentet më kulmore të historisë sonë të re, ku qëndresa dhe bashkimi i shqiptarëve u shndërruan në një mburojë të fuqishme përballë armikut.
Përmes një mesazhi përkujtimor, Haradinaj ka sjellë në vëmendje simbolikën e kësaj beteje, e cila dëshmoi se kur liria është në rrezik, shqiptarët dinë të bëhen një trup i vetëm. “Nderojmë përjetë luftën e luftëtarëve shqiptarë në Loxhë. Ashtu siç dinë shqiptarët të bashkohen kundër armikut, ashtu ishim të gjithë bashkë në Loxhë”, ka shkruar ai.
Në këtë përvjetor, ish-komandanti i UÇK-së ka përulur kokën para përjetësisë së dëshmorëve Tahir Shala, Rrustem Bruqi, Enver Alaj, Lumni Surdulli dhe Xhavit Qufaj, të cilët mbeten gurthemel i lirisë së Kosovës. Po ashtu, ai ka nderuar kujtimin e luftëtarëve Nimon Bajraktari, Haki Ahmetxhekaj, Bashkim Mehmetaj dhe Arsen Mazrekaj, të cilët sakrifikuan jetën e tyre në përpjekjet për liri.
Me një mesazh të thjeshtë e të fuqishëm, Haradinaj e ka mbyllur përkujtimin e tij me thirrjen: “Lavdi!”.


