Qyteti i vjetër i Janjevës po merr pamje tjetër. Shumë shtëpi tradicionale tashmë janë restauruar
Për të parë këtë proces, gjatë ditës së djeshme ishin për vizitë kryeministri Albin Kurti, ministri i Kulturës Hajrulla Çeku, ambasadori i zyres së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić dhe përfaqësuesi rezident i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queirós.
Ata u takuan me banorë që u janë restauruar shtëpitë, shumë qytetarë dhe shijuan ushqimet e shijshme tradicionale në panairin artizanal në Janjevë.
Gjatë kësaj vizite po ashtu u pritën në kishën e Shën Kollit nga prifti Don Matej Palliq dhe në xhaminë e Janjevës nga kryeimami i Kosovës, Vedat Sahiti.
Rijetësimi i qytetit të vjetër të Janjevës po bëhet përmes projektit “Trashëgimia Kulturore si Nxitëse për Ringjallje Ekonomike të Janjevës”, bashkëfinancim mes Ministrisë së Kulturës dhe Bashkimit Europian, projekt i cili po zbatohet nga UNDP.