Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka zhvilluar sot vizita pune në dy kompani të suksesshme vendore dhe ndërkombëtare, “Kokrra e Artë” dhe “HotelKey”, të cilat po kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe promovimin e Tetovës në nivel global.
Në kompaninë “Kokrra e Artë” në Poroj, Kasami u njoh me procesin modern të prodhimit të miellit organik, që ruan vlerat ushqyese të grurit vendas dhe përfaqëson standarde të larta cilësie. Ai vlerësoi përkushtimin e stafit dhe ndikimin pozitiv që ka kjo kompani në ekonominë lokale.
Gjithashtu, Kasami vizitoi “HotelKey”, një kompani teknologjike me seli në Tetovë që operon në mbi 12.500 hotele anembanë botës dhe punëson mbi 800 profesionistë. Ai e cilësoi këtë kompani si “dëshmi të qartë të talentit, inovacionit dhe potencialit të të rinjve tanë”.
“Si komunë, do të jemi gjithmonë partner dhe mbështetës i bizneseve që sjellin zhvillim, punësim dhe e rrisin emrin e qytetit tonë. Tetova do të jetë gjithnjë më e fortë kur bashkë ndërtojmë një ekonomi moderne dhe të qëndrueshme,” deklaroi Kasami.