Studentë dhe profesorë të Universitetit të Tetovës marrin pjesë në edicionin e 10-të të Shkollës së Ohrit për të Drejtën Natyrore

Universiteti i Tetovës, në kuadër të promovimit të veprimtarisë shkencore dhe fuqizimit të bashkëpunimit me institucionet relevante, merr pjesë në edicionin e 10-të të Shkollës së Ohrit për të Drejtën Natyrore, që zhvillohet në Ohër prej 5–11 korrik 2026.

 

Ky aktivitet organizohet nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë (ASHAM), në kuadër të nismës rajonale “Forcimi i qasjes në drejtësi përmes ndihmës juridike falas”, duke mbledhur profesorë universitarë, studiues, ekspertë, praktikues të së drejtës dhe studentë nga vendi dhe rajoni për të diskutuar tema me rëndësi të veçantë në fushën e së drejtës natyrore, të drejtave të njeriut dhe qasjes efektive në drejtësi.

Universiteti i Tetovës përfaqësohet në këtë aktivitet nga profesorë dhe studentë të Fakultetit Juridik, të cilët kontribuojnë në programin shkencor me prezantime dhe diskutime që pasqyrojnë angazhimin akademik dhe profesional të institucionit.

Në kuadër të programit, Prof. Dr. Afrim Osmani ligjëroi me temën “Qasja në drejtësinë mjedisore përmes ndihmës juridike falas”, duke trajtuar rëndësinë e garantimit të mbrojtjes juridike në çështjet mjedisore, rolin e ndihmës juridike falas në realizimin e të drejtave të qytetarëve dhe sfidat institucionale në sigurimin e një qasjeje efektive në drejtësi.

Po ashtu, Prof. Dr. Afet Mamuti e prezanton temën “Qasja në drejtësi e familjeve të cenueshme nëpërmjet ndihmës juridike falas: Sfidat dhe perspektivat në zgjidhjen e kontesteve të së drejtës familjare”, në të cilën trajton rëndësinë e mbështetjes juridike për kategoritë në nevojë, sfidat në zbatimin e legjislacionit dhe nevojën për forcimin e mekanizmave institucionalë që garantojnë qasje të barabartë dhe efektive në drejtësi.

Pjesëmarrja  e profesorëve dhe studentëve të Fakultetit Juridik në këtë forum ndërkombëtar konfirmon përkushtimin e Universitetit të Tetovës për avancimin e cilësisë në arsimin e lartë, zhvillimin e kërkimit shkencor, ndërkombëtarizimin e veprimtarisë akademike dhe promovimin e vlerave të shtetit të së drejtës, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.

 

 

 

TË NDRYSHME

TË FUNDIT