Drejtori i Qendrës turistike Kodra e Diellit, Gani Aliji, ka reaguar ndaj deklaratave të kandidatit të AKI-së për Tetovën, Bajram Rexhepi, në lidhje me zhvillimin e Kodrës së Diellit.
Aliji ka demantuar me premtimet dhe zotimet e Rexhepit, duke i cilësuar si “të pavërteta dhe manipulime të pastra që nuk korrespondojnë me realitetin”.
Aliji ka theksuar disa fakte kryesore:
“Hotelet në Kodrën e Diellit janë pronë e Qendrës së Skijimit dhe personave privatë. Dy prej tyre janë gjetur të shkatërruara nga pushteti i kaluar, ndërsa një tashmë është funksionalizuar”.
“Premtimi për 10 pista të reja dhe borë artificiale është manipulim, pasi këto janë kompetencë dhe menaxhim i Qendrës së Skijimit, jo i Komunës së Tetovës”.
“Gjatë qeverisjes së kaluar janë përjashtuar 23 punëtorë me vendime të përhershme, ndërsa tani po flitet për hapje të vendeve të punës”.
“Ndërtimi i rrugës për në Kodrën e Diellit është në fazë përfundimtare dhe pritet të jetë funksional këtë dimër, ndërsa janë përshpejtuar procedurat për Planin e Kodrës, ku parashikohen edhe parkingje të reja”.
“Gjithçka çfarë premtoi Rexhepi ose nuk është në kompetencë të Komunës, ose tashmë po bëhet dhe po punohet intensivisht. Në atë konferencë, Rexhepi vetëm i përkujtoi qytetarëve se çfarë nuk ka bërë opsioni i tij politik gjatë qeverisjes 20-vjeçare”, thekson Aliji në reagimin e tij.