Ministri Shasivari dhe drejtori i RAI-t konfirmuan angazhimin për forcimin e politikave kundër korrupsionit.

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, sot zhvilloi një takim me drejtorin e Iniciativës Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI), Albert Hani, ku u konfirmua përkushtimi i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit dhe avancimin e proceseve reformuese.

 

Gjatë bisedimeve u theksua rëndësia e pjesëmarrjes aktive të Republikës së Maqedonisë së Veriut në punën e RAI-t, si dhe nevoja për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal në këtë fushë.

Ministri Shasivari konfirmoi mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë për aktivitetet e ardhshme të RAI-t, përfshirë Konferencën Rajonale për Vlerësimin e Rreziqeve nga Korrupsioni dhe Verifikimin e Legjislacionit nga aspekti i korrupsionit në sektorin e sigurisë, e cila do të mbahet në Shkup, si dhe pjesëmarrjen e tij në ngjarjen ministrore shoqëruese për luftën kundër korrupsionit në kuadër të Procesit të Berlinit, që do të zhvillohet në Tiranë.

Në takim, ministri theksoi përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë ndaj reformave në fushën e sundimit të ligjit, harmonizimit të legjislacionit kombëtar me standardet evropiane dhe zbatimit të prioriteteve që lidhen me Kapitujt 23 dhe 24 të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Të dyja palët konfirmuan gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit përmes nismave dhe projekteve të përbashkëta, me synim forcimin e kapaciteteve institucionale, integritetit dhe qeverisjes së mirë.

Në fund të takimit, drejtori Hani edhe një herë i përcolli urimet e tij të sinqerta ministrit Shasivari me rastin e emërimit të tij dhe shprehu bindjen se proceset reformuese do të vazhdojnë me partneritet të fortë, besim të ndërsjellë dhe bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Iniciativës Rajonale Kundër Korrupsionit.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT