TIRANË — Protestat kundër qeverisë kanë hyrë në ditën e tyre të 54-t, ku qytetarët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e parevokueshme të kryeministrit Edi Rama.
Gjatë tubimit të radhës para institucioneve, protestuesit kanë shprehur vendosmërinë e tyre se revolta nuk do të ndalet gjatë muajve të verës. Një prej pjesëmarrësve në fjalën e tij i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke kërkuar veprime konkrete dhe arrestimin e kreut të qeverisë.
„I bëjmë thirrje SPAK-ut se ne nuk kemi marrë pushime verore. I kërkojmë SPAK-ut të mos bëjë pushime verore. Kërkojmë nga SPAK të arrestojnë Ramën,“ — u shpreh protestuesi gjatë fjalës së tij.
Pavarësisht temperaturave të larta dhe periudhës së verës, qytetarët e mbledhur në shesh theksuan se protestat dhe kërkesat e tyre për llogaridhënie institucionale do të vijojnë pa u ndalur.
/ kohanews


