Edhe pse ura Paleopirgos në Greqi u dëmtua rëndë para tri vitesh gjatë stuhisë shkatërruese “Daniel”, disa shoferë vazhdojnë ta përdorin atë çdo ditë, përcjell KohaNEWS. Arsyeja është e thjeshtë – ata duan të shmangin një devijim më të gjatë dhe të kursejnë karburant, pavarësisht se kalimi nëpër të paraqet rrezik serioz për jetën.
Gjatë stuhisë “Daniel”, një valë e fuqishme përmbytjeje shkatërroi 79 ura në mbarë Greqinë, përfshirë edhe urën Paleopirgos, pjesa qendrore e së cilës është e çarë dhe tashmë varet disa centimetra mbi lumin Peneios, duke e bërë kalimin tejet të rrezikshëm.
Shoferët rrezikojnë për shkak të rrugës më të shkurtër Sipas mediave lokale, kryesisht bujqit vazhdojnë ta përdorin urën, pasi në të kundërtën do të duhet të udhëtojnë nëpër një rrugë shumë më të gjatë përmes autostradës, gjë që rrit kostot e karburantit dhe kërkon më shumë kohë. Megjithatë, ura nuk përdoret vetëm nga banorët vendas; shpesh atje arrijnë edhe turistë, të cilët orientohen nga navigacioni në këtë trase, duke u ballafaquar në vend me dilemën nëse duhet të rrezikojnë kalimin apo të kërkojnë një rrugë më të sigurt.
Dëmtimi mbetet një rrezik serioz Problemi më i madh qëndron te fakti se pjesa qendrore e konstruksionit është e çarë, ndaj ura nuk është më në gjendjen e mëparshme. Pavarësisht kësaj, disa shoferë vazhdojnë të bëjnë llogari se mund ta kalojnë atë pa u rrezikuar, një vendim ky që mund të sjellë pasoja tragjike duke pasur parasysh se konstruksioni i dëmtuar përbën rrezik real për çdo mjet që provon të kalojë.
/KohaNEWS


