Një nga grabitjet më të guximshme, më të çuditshme dhe më të famshme në historinë e Japonisë mbetet e pazgjidhur deri më sot, duke u shndërruar në sinonimin e “krimit të përsosur”, përcjell KohaNEWS.
Ngjarja ndodhi në një ditë me shi të muajit dhjetor të vitit 1968 në Tokio. Një i ri i veshur si polic trafiku zbriti nga një motoçikletë e bardhë dhe ndaloi limuzinën e “Japan Credit Bank”, e cila po transportonte para për bonuset e punonjësve të fabrikës së “Toshiba”-s në kuartin Fuchu.
Iluzioni piroteknik dhe ikja me paratë Me një qetësi dhe autoritet të plotë, pa përdorur armë apo dhunë, i ashtuquajturi polic u tha katër rojeve se ekzistonte dyshimi se poshtë automjetit të tyre ishte vendosur një bombë. Pasi u shtri poshtë makinës për të kontrolluar, ai bërtiti dhe shkaktoi një shpërthim të vogël tymi (një iluzion i thjeshtë piroteknik). Të tmerruar dhe duke besuar se polici po rrezikonte jetën e tij për t’i shpëtuar, rojet u larguan me vrap. Ky ishte momenti që grabitësi shfrytëzoi për t’u ulur në sediljen e shoferit dhe për të ikur me 294.307.500 jenë (ekuivalenti i rreth 7.8 milionë dollarëve të sotëm), duke lënë pas një prej mistereve më të mëdha të shekullit XX.
Një hetim kolosal dhe pa sukses Megjithëse policia ndërmori hetimin më të madh në historinë e vendit – ku u angazhuan mbi 170.000 persona, u krahasuan gjurmë gishtash me miliona dosje dhe u pyetën dhjetëra mijëra të dyshuar – rasti kurrë nuk u zbardh. Për shkak të skadimit të afateve ligjore pas shtatë vitesh, çështja u mbyll zyrtarisht në vitin 1975.
Ironia e fatit e bëri këtë ngjarje edhe më të pazakontë:
-
Banka dhe punonjësit e “Toshiba”-s nuk pësuan dhumë financiare afatgjatë pasi dëmi u mbulua nga sigurimet, ndërsa bonuset u paguan vetëm një ditë më vonë.
-
Për shkak të mungesës së kamerave të sigurisë dhe teknologjisë së asaj kohe, grabitësi arriti të zhduket pa lënë asnjë gjurmë të vërtetë identifikimi.
Për dekada me radhë, ky rast ka frymëzuar libra, filma dhe analiza të panumërta, duke mbetur një legjendë e pazgjidhur e botës së krimit.
/KohaNEWS


