BDI: PSE GJYSMËKRYETARËT E VLEN-IT ENDE HESHTIN PAS PRANIMIT TË UDHËHEQËSIT TË TYRE, BEKIM QOKU, SE JANË “TMERRËSISHT TË DOBËT”?

PSE GJYSMËKRYETARËT E VLEN-IT ENDE HESHTIN PAS PRANIMIT TË UDHËHEQËSIT TË TYRE, BEKIM QOKU, SE JANË “TMERRËSISHT TË DOBËT”? Gjysmëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, prej disa ditësh heshtin pas deklaratës së Udhëheqësit të Vlenit, Bekim Qokut se në Qeveri janë “tmerrësisht të dobët”. Ky është pranim publik i dështimit politik. E ardhmja e shqiptarëve, përfaqësimi i tyre në shtet dhe mbrojtja e interesit kombëtar nuk mund të mbeten peng i dobësisë suaj. Nëse jeni tmerrësisht të dobët, pse vazhdoni të qëndroni në Qeveri? Pse heshtni kur degradohet gjuha shqipe? Pse pranoni përjashtimin e shqiptarëve nga pozitat drejtuese?

 

 

Pse heshtni kur rrënohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat? Pse vazhdoni t’i jepni shumicë dhe legjitimitet një pushteti që çdo ditë dobëson pozitën e shqiptarëve? Askush nuk ju ka dërguar në Qeveri për të na shpjeguar sa e fortë është VMRO-ja dhe sa të dobët jeni ju. Në Qeveri qëndrohet për të pasur ndikim, për të ndalur vendimet e dëmshme dhe për të mbrojtur qytetarët që pretendoni se i përfaqësoni. Nëse nuk mundeni, atëherë largohuni. Nuk mund të jeni njëkohësisht pjesë e pushtetit dhe viktimë e tij. Nuk mund të votoni me Qeverinë dhe pastaj të silleni sikur nuk mbani përgjegjësi për pasojat. Prandaj, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti duhet të përgjigjen: A kanë ndonjë vijë të kuqe? A ka ndonjë vendim për të cilin janë të gatshëm ta braktisin Qeverinë? Apo posti është e vetmja vijë e kuqe që nuk guxojnë ta kalojnë? Shqiptarët nuk mund të presin pafund derisa ju të bëheni më të fortë. Sa gjatë do ta mbani të ardhmen e shqiptarëve peng të dobësisë suaj? Kur do të largoheni?

TË NDRYSHME

TË FUNDIT