Siç transmeton KohaNEWS, miliona turistë që çdo vit udhëtojnë drejt Kroacisë me automjete duhet të përgatiten për një nga ndryshimet më të mëdha në infrastrukturën rrugore të dekadave të fundit. Mediat gjermane dhe austriake kanë nisur tashmë të paralajmërojnë qytetarët e tyre për kalimin në sistemin e ri dixhital të pagesës së autostradave, i cili do të zëvendësojë gradualisht kabinat tradicionale dhe do t’i lejojë shoferët të lëvizin pa asnjë ndalesë.
Duke iu referuar informacioneve nga klubi i automobilizmit i Austrisë, ÖAMTC, mediat shpjegojnë se gjatë periudhës kalimtare deri në pranverën e vitit 2027, sistemi ekzistues do të transformohet në një model plotësisht dixhital. Qëllimi kryesor është lehtësimi i kolonave dhe pritjeve të gjata gjatë sezonit turistik, si dhe rritja e rrjedhshmërisë së trafikut në të gjithë rrjetin rrugor.
Sistemi i ri, i pagëzuar si Crolibertas, do të mbështetet në dy teknologji kryesore. Drejtuesit e automjeteve të pasagjerëve do të mund të zgjedhin mes pajisjes elektronike ENC ose njohjes automatike të targave (ALPR). Kamerat e vendosura në portale mbi autostradë do të skanojnë targat, ndërsa pagesa do të realizohet automatikisht përmes llogarisë së regjistruar paraprakisht dhe mënyrës së zgjedhur të pagesës. Për mjetet e rënda (kamionët), përdorimi i pajisjes ENC do të jetë i detyrueshëm.
Një nga avantazhet më të mëdha të këtij investimi është qarkullimi i lirë i mjeteve. Ndërsa stacionet aktuale të pagesës mund të përpunojnë rreth 200 automjete në orë për korsi, sistemi i ri do të mundësojë kalimin e deri 3,000 automjeteve në të njëjtën kohë. Sipas njoftimeve zyrtare të Autostradave Kroate (HAC), puna në terren për vendosjen e portaleve dhe infrastrukturës është në zhvillim e sipër, ndërsa funksionalizimi i plotë i sistemit dixhital pritet të nisë në muajin mars të vitit 2027.
/ KohaNEWS


