Siç transmeton KohaNEWS, gjatë ceremonisë së promovimit të kadetëve të rinj në akademinë ushtarake në Banjicë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dërguar mesazhe të forta politike, duke theksuar se Serbia do të mbetet ushtarakisht neutrale dhe se ushtria përbën garancinë kryesore të sigurisë së qytetarëve.
Në fjalimin e tij para oficerëve të rinj, Vuçiq u ndal te situata aktuale gjeopolitike, duke pretenduar se në botë po mbizotëron një fazë e të ashtuquajturit “paligjshmëri ndërkombëtare”, ku rezolutat dhe Karta e Kombeve të Bashkuara nuk respektohen. Duke vënë theksin te historia dhe sfidat rajonale, ai deklaroi se historia ka dëshmuar se kurdo që vendi ka qenë më i dobët, sipas tij, i janë rrëmbyer territore, ndërsa përsëriti qëndrimin se Kosova mbetet pjesë e atdheut.
Në këtë ngjarje solemne, ku u promovuan kadetët e viteve të fundit të Akademisë Ushtarake dhe Fakultetit të Mjekësisë të Akademisë Mjekësore Ushtarake (VMA), kreu i shtetit serb kërkoi nga gjenerata e re e oficerëve që të jenë të përgatitur për të mbrojtur çdo cep të vendit, në një kohë kur zhvillimet globale po sjellin pasiguri të mëdha.
/ KohaNEWS


