Start me “treshe” dhe alarm nga Pollozhani: Shkëndija triumfon ndaj Skopjes, por trajneri kërkon ritëm më të lartë për Evropën

Shkëndija e ka nisur në mënyrë të mbarë sezonin e ri garues 2026/2027 në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë së Veriut (LPFMV), duke triumfuar me rezultat të pastër 3:0 ndaj Skopjes. Golat për kuqezinjtë u realizuan nga Ndzengue, Tamba dhe Rafa. Edhe pse skuadra mori tre pikët e para, trajneri Artim Pollozhani pas ndeshjes u shpreh kërkues sa i përket ritmit të lojës dhe përqendrimit në fushë, veçanërisht duke pasur parasysh sfidat e ardhshme në Kupat e Evropës.

 

…starti me fitore…

Artim Pollozhani: “Duke u bazuar te ndeshja, unë jam i kënaqur vetëm me rezultatin, sepse rezultati ishte fitorja jonë, por që unë mendoj që ne duhet të kemi qasje tjetër. Për vetë faktin që ne duhet të rrisim nivelin e vrapimit, duhet të rrisim nivelin me ritmin, sepse do na duhet pastaj edhe në kompeticionin tjetër, aty ku edhe jemi, në Kupat e Evropës. Nuk jam i kënaqur, pavarësisht kësaj që fituam me 3:0, por që qasja duhet të jetë akoma më në nivel të lartë, sepse në momentin që ne nuk kemi ritëm, në momentin që ne futemi te ritmi i kundërshtarit, ajo do na bëjë dëm dhe vlerësoj se kjo është e patjetërsueshme. Nuk ka shanse që ne të futemi te ritmi i kundërshtarit. Pra, kjo është ajo që ne do kërkojmë ose ne do tentojmë që ta arrijmë tek ajo pjesa jonë. Duke i pasur vështirësitë e ndeshjes së parë, duke i pasur vështirësitë e asaj që nuk kishim shumë kohë për ta analizuar kundërshtarin, sepse vjen nga një kategori më poshtë edhe nuk është se kishte miqësore që ti të dalësh me një konkluzion që si luan kundërshtari, dhe kjo sjell vështirësitë e veta. Por ajo që është me rëndësi është trepikëshi, por jo në këtë mënyrë.” 

…humben shume raste…

Artim Pollozhani: “Unë e kam përmendur edhe në tjera konferenca për shtyp se në zonat para portës ose ajo thellësia apo kapja e zonës së golit me shpejtësi na mungon. Që do të thotë që akoma duhet të kemi vëmendjen tek ajo pjesë, sepse në një të tretën e mesit të fushës ne e qarkullojmë topin, dalim te manovra jonë, por pastaj, nëse nuk ke shpejtësi veprimi në një të tretën e sulmit, mund të të bëjë probleme edhe një ekip që është i i Maqedonisë, ose që ka ardhur nga kategoria e dytë, duke mos i ofenduar, por që ka ardhur nga kategoria e dytë mund të të bëjë probleme pastaj te finalizimi. Aty duhet të jemi më me shpejtësi veprimi sepse nuk të lënë ekipet e mëdha që të kesh shumë raste.”

…Ndryshimi për ndeshjen ndaj NK Bravo…

Artim Pollozhani: “Shiko, nëse dalim te ndeshja ndaj Bravos, unë preferoj që më mirë të luajmë futboll sulmues e të humbim raste sesa të mbyllemi prapa e të fitojmë 1:0. Por, ka edhe diçka tjetër, e treta që është, ne duhet të jemi në atë nivel që edhe kur luajmë mirë t’i shfrytëzojmë rastet. Kjo pastaj do na ndihmojë për vazhdimësinë e kampionatit jashtëzakonisht shumë. Sepse mirë, sot golat i kishim, por që nuk është ajo që ne presim, nuk janë ato shpejtësi veprimi, nuk janë ato marrje e hapësirës e shpejtë. Janë për shembull gola që nëse ke një kundërshtar më të fortë mund të evitohen. Kështu që ne duhet të shkojmë te ajo praktikisht, jo tek perfeksioni, por që kjo që ne duam që ato zonat t’i kapim me shpejtësi të jashtëzakonshme e t’i finalizojmë me një-dy takime.”

TË NDRYSHME

TË FUNDIT