Drejtoria e Doganave dhe Regjistri Qendror kanë nënshkruar Marrëveshjen për Bashkëpunim dhe Shkëmbim të Dokumenteve në Formë Elektronike, duke hapur rrugën për eliminimin e faturave në letër dhe kalimin drejt një sistemi plotësisht dixhital.
Sipas marrëveshjes, të dhënat për borxhin doganor do të shkëmbehen automatikisht ndërmjet dy institucioneve, pa pasur nevojë për dokumente fizike. Kjo do të thotë se kompanitë dhe qytetarët nuk do të presin më ditë të tëra për certifikatat e nevojshme për regjistrim apo ndryshim të subjekteve juridike.
“Zvogëlimi i procedurave burokratike dhe rritja e efikasitetit të administratës janë një nga prioritetet tona. Nga fillimi i muajit të ardhshëm, certifikatat e borxhit doganor do të merren automatikisht nga Regjistri Qendror me vetëm një klikim,” njoftuan nga Drejtoria e Doganave.
Nga ana tjetër, Drejtoresha e Regjistrit Qendror theksoi se kjo formë e ndërveprimit dixhital do të lehtësojë ndjeshëm procedurat për bizneset dhe do të përshpejtojë sigurimin e dokumenteve të nevojshme për regjistrim.
Ky hap konsiderohet si një nga zhvillimet më të rëndësishme drejt dixhitalizimit të administratës dhe krijimit të një klime moderne për të bërë biznes në vend.