Kandidati për bartës liste në Tetovë nga koalicioni VLEN, Albi Qamili, së bashku me kryetarin e Komunës së Tetovës dhe kandidatin për mandatin e dytë, Bilall Kasami, kanë zhvilluar sot takime me qytetarët në Çarshinë e Epërme dhe Pazarin e Grave.
Qamili tha se takimet e sotme shërbyen për të falënderuar qytetarët për mbështetjen e fuqishme të 19 tetorit, ndërsa nënvizoi se tashmë fokusi është te mobilizimi maksimal për balotazhin e 2 nëntorit.
“E gjithë Tetova është në një zë për të vazhduar zhvillimin dhe transformimin e qytetit. Mbështetja po rritet, ndërsa fitorja do të vuloset edhe më fuqishëm”, u shpreh ai.
Sipas tij, zgjedhjet e 2 nëntorit do të jenë vendimtare për ta vazhduar kapitullin e zhvillimit që ka nisur katër vitet e fundit në Tetovë.