Anulimi i ndeshjes që Barcelona duhej ta zhvillonte në Miami ndaj Villarrealit ka shkaktuar goditje të rëndë financiare dhe marketingu për klubin katalanas, i cili tashmë kishte nisur përgatitjet për turneun në Shtetet e Bashkuara.
Takimi ishte planifikuar si pjesë e një fushate promovuese të La Ligës në tregun amerikan, me mbështetje të madhe nga vetë liga. Për Barcelonën, kjo sfidë paraqiste një hap strategjik për rritjen e pranisë dhe markës së klubit në SHBA, si dhe për të siguruar përfitime të rëndësishme financiare.
Klubi, që prej vitesh përballet me probleme ekonomike dhe ka detyrime prej rreth 160 milionë euro ndaj klubeve të tjera, shpresonte në një injeksion të shpejtë të të ardhurave. Nëse Barcelona nuk paguan 140 milionë euro deri në fund të sezonit, do të hasë pengesa serioze në regjistrimin e lojtarëve të rinj.
Sipas vlerësimeve paraprake, Barça do të përfitonte 5 deri në 6 milionë euro vetëm nga organizatorët e aktivitetit, ndërsa të ardhurat e sakta do të vareshin nga shitja e biletave dhe aktivitetet e sponsorëve.
Deri në momentin e anulimit, ishin rezervuar 70 mijë bileta për ndeshjen në “Hard Rock Stadium”, duke paralajmëruar një rekord historik të interesimit për futbollin në atë arenë dhe një atmosferë spektakolare.
Gjigantët e sponsorimit si Spotify kishin planifikuar aktivitete marketingu gjatë qëndrimit të ekipit në Miami, ndërsa Goldman Sachs – partner kyç financiar i Barcelonës – kishte paralajmëruar ngjarje të ngjashme në qytete të tjera amerikane si Los Angeles, New York dhe San Francisco.
Nga ana sportive, Barcelona do të përfitonte nga luajtja në terren neutral, edhe pse organizatorët besonin se shumica e tifozëve në stadium do të ishin pikërisht tifozë të Barçës – gjë që nxiti pakënaqësi të madhe në radhët e rivalëve të La Ligës, veçanërisht te Real Madridi.
“Ky është shkelje e qartë e rregullave të garës. Nuk do të garojmë të gjithë në kushte të barabarta,” deklaroi kapiteni i Real Madridit, Dani Carvajal.
Pas presionit të madh të opinionit publik dhe klubeve, La Liga vendosi ta anulojë eventin në Shtetet e Bashkuara, duke i lënë Barcelonës një boshllëk të ndjeshëm financiar dhe strategjik.

