Një ngjarje e rëndë ndodhi në Ukrainë, ku fusha stërvitore e klubit FC Metalist 1925 u godit nga një dron rus i tipit “Shahed”. Në këtë klub aktivizohen edhe dy sulmues shqiptarë, Ermir Rashica dhe Baton Zabërgja.
Sipas raporteve nga Kiev, në momentin e sulmit në kompleksin sportiv ndodheshin rreth 120 futbollistë të rinj, të cilët arritën të strehohen në kohë, dhe fatmirësisht askush nuk u lëndua.
Raportimet e agjencisë UNN bëjnë me dije se bombardimet e mëngjesit nga ushtria ruse goditën disa objekte sportive në kryeqytet, ndërsa një nga dronët ra direkt mbi fushën stërvitore që Metalist 1925 e kishte marrë me qira nga Kolegji Olimpik Profesional “Ivan Piddubny”. Goditja shkaktoi zjarr, i cili u shua më pas nga shërbimet emergjente.
Klubi ukrainas, së bashku me FC Polissia dhe Kolegjit Olimpik, njoftuan se do të bashkëpunojnë për rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar sa më shpejt të jetë e mundur.
Pavarësisht incidentit, drejtuesit e Metalist 1925 kanë theksuar se procesi stërvitor i akademisë do të vazhdojë normalisht, duke zhvendosur seancat në fusha të sigurta në Kiev.
Për shkak të luftës dhe bombardimeve të vazhdueshme në Harkiv, skuadra e parë dhe akademia e Metalist 1925 janë zhvendosur prej muajsh në kryeqytet, ku rreth 120 futbollistë të rinj jetojnë, studiojnë dhe stërviten në kushte të mbrojtura.

