Punëdhënësit alarmojnë për krizë financiare, ndërsa sindikatat theksojnë se paga minimale nuk mund të mbulojë jetesën.
Në Maqedoni ka rënë në qendër të debatit çështja e pagës minimale. Punëdhënësit paralajmërojnë se gjendja financiare e kompanive po vështirësohet dhe disa madje thonë se nuk mund të përballojnë as pagat aktuale, pa folur për rritje të tyre.
Sipas Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve, diskutimi për pagën minimale nuk është çështje dëshirash, por e bazuar në ekonominë reale. Ai thekson se paga minimale aktualisht është rreth 57% e pagës mesatare, më shumë se standardi evropian prej 50%, por shifrat janë të “imagjinuara” dhe jo të lidhura me matematika reale. Dimitrov paralajmëron se sektori tekstil mund të humbasë mijëra vende pune, nga 21,000 tani deri në vetëm 10,000.
Nga ana tjetër, Sindikati i Maqedonisë thekson se krahasimi me Evropën është i padrejtë, pasi atje paga minimale mund të sigurojë një jetë të qetë, ndërsa në vendin tonë ajo shërben vetëm për të “prezervuar” ekzistencën. Ivan Peshevski, zv/presideni i SSM-së, shpjegon se rritja e pagës minimale nuk ka ndikuar në rritjen e pagave mesatare, ndërsa rreth 75% e punëtorëve marrin midis pagës minimale dhe mesatares.
Punëdhënësit insistojnë se pa ndihmën e shtetit, një pagë minimale prej 500 eurosh është e pamundur. Ata argumentojnë se pjesa më e madhe e ekonomisë (98%) përbëhet nga ndërmarrje të vogla dhe të mesme me periudha të gjata të pagesës, gjë që mund të çojë në vonesa dhe ulje të pagave.
Sidoqoftë, ekspertët dhe sindikatat theksojnë se fitimet e mëdha të pronarëve shpesh nuk investohen për punëtorët apo zhvillim teknologjik, duke u bërë kështu pengesë për një rritje reale të pagave.
Debati rreth pagës minimale në Maqedoni vazhdon të jetë tensionues. Punëdhënësit kërkojnë lehtësim financiar dhe paralajmërojnë ulje të vendeve të punës, ndërsa sindikatat kërkojnë që paga minimale të reflektojë kostot reale të jetesës dhe të mos shfrytëzohet si pretekst për të kufizuar të drejtat e punëtorëve.

