Punimet në autostradat e Korridoreve 8 dhe 10D po vazhdojnë me ritëm të shtuar. Konsorciumi “Bechtel dhe Enka”, kontraktor i segmenteve Tetovë–Gostivar, Gostivar–Bukojçan dhe Prilep–Manastir, gjatë muajit shtator ka përqendruar aktivitetet kryesisht në hetimet gjeoteknike, projektimin teknik dhe shpronësimet, si dhe në punimet e përkohshme për menaxhimin e trafikut dhe largimin e objekteve ekzistuese.
Sipas raportit të punimeve të publikuar nga Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore, në terren janë angazhuar gjithsej 2.277 punëtorë dhe 1.244 mjete ndërtimi. Paralelisht kanë vazhduar punimet në ura, mbikalime dhe nënkalime përgjatë traseve Tetovë–Gostivar (18 km), Gostivar–Bukojçan (30 km) dhe Prilep–Manastir (40 km). Aktualisht, ndërtohen gjashtë ura, shtatë mbikalime dhe tre nënkalime.
Deri në fund të shtatorit janë përfunduar 4.1 milion metra kub gërmime dhe 1 milion metra kub material mbushës.
Në shtator nuk është realizuar pagesë për kontraktorin, ndërsa pagesa e fundit është bërë në gusht, në vlerë prej 1.200.875.741 denarësh. Para kësaj, pagesat ishin kryer në prill, maj, qershor dhe korrik, ndërsa deri në fund të vitit të kaluar vlera e shlyer ishte rreth 261 milionë euro.
Kontrata për ndërtimin e këtyre segmenteve arrin vlerën 1.3 miliardë euro dhe punimet në terren kanë nisur më 22 prill 2023.

                                    