Ministri në detyrë i Brendshëm thotë se xhandarmëria serbe ka plagosur dhe rrëmbyer një shtetas të Kosovës në zonën kufitare, duke e cilësuar incidentin si akt destabilizues dhe shkelje të sovranitetit.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas incidentit të fundit në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, ku dyshohet se forcat serbe kanë plagosur dhe rrëmbyer një qytetar të Republikës së Kosovës me inicialet M.V.
Sipas Sveçlës, ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si “pika zero (0)”, ku ka prani të shtuar të trupave të KFOR-it.
“Xhandarmëria serbe ka plagosur, duke tentuar ta vrasë, dhe më pas e ka rrëmbyer një qytetar të Republikës së Kosovës. Ky është një akt i radhës i politikës së frikësimit dhe dhunës nga regjimi i Vuçiqit”, ka deklaruar Sveçla.
Ai tha se ky nuk është rasti i parë i kësaj natyre, duke kujtuar incidentin e para dy viteve, kur njësitë speciale serbe hynë në territorin e Kosovës dhe rrëmbyen tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, si dhe sulmin terrorist në Banjskë.
“Serbia po vazhdon politikën e terrorit dhe dhunës ndaj atyre që nuk pajtohen me qasjen agresore të Aleksandër Vuçiqit. Këto veprime përbëjnë shkelje të rëndë të kufijve dhe të drejtave të qytetarëve tanë”, shtoi ai.
Sveçla i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të reagojë me masa konkrete:
“Është koha e fundit që faktori ndërkombëtar të ndërmarrë veprime të qarta dhe ndëshkuese ndaj Serbisë, që akte të tilla armiqësore të mos përsëriten.”

                                    