Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpërndarë pothuajse të gjitha materialet zgjedhore në KZAZ-të dhe qendrat e votimit në vend. Baza materiale ka mbërritur në shumicën e qendrave, ndërsa vetëm disa në bashkinë e Vlorës janë ende në pritje. Materialet përfshijnë fletët e votimit, proces-verbalet dhe pajisjet e identifikimit elektronik (PEI).
Policia e Shtetit është mobilizuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Rreth 612 efektivë dhe automjete policie do të angazhohen për ruajtjen e 473 qendrave të votimit dhe 9 objekteve të KZAZ-ve, si dhe për transportin e materialeve zgjedhore. Strukturat hetimore do të monitorojnë çdo tentativë për tjetërsim të votës.
Për të lehtësuar pjesëmarrjen në votim, kompania IdentiTek ka zgjatur oraret e shpërndarjes së kartave të identitetit në bashkitë ku zhvillohen zgjedhjet. Zyrat do të jenë të hapura të shtunën nga ora 09:00 deri në 15:00 dhe të dielën nga ora 08:00 deri në 12:00.
Risi e këtyre zgjedhjeve është përfshirja eksperimentale e inteligjencës artificiale (IA) në procesin e numërimit të votave në bashkinë e Tepelenës. Megjithëse IA nuk do të japë rezultatin përfundimtar, ajo do të përdoret si mjet testimi për të vlerësuar saktësinë dhe shpejtësinë e numërimit, ndërsa verdikti final do t’u takojë grupeve të numëruesve.

