Rumania nderon princin me rrënjë shqiptare, Grigore Alexandru Ghica

Në Pallatin Presidencial të Rumanisë u zhvillua një ceremoni nderimi për një prej udhëheqësve më të shquar të shekullit XIX, princin Grigore Alexandru Ghica (1807–1857), i cili kishte origjinë shqiptare. Lajmin e ka bërë të ditur ministri shqiptar Taulant Balla përmes një postimi në faqen e tij zyrtare.

Grigore Alexandru Ghica, pinjoll i familjes së njohur shqiptare Gjika, ishte Princ i Moldavisë dhe një ndër figurat më reformuese e me vizion europian në historinë e Rumanisë. Gjatë periudhave të udhëheqjes së tij (1849–1853 dhe 1854–1856), ai u shqua për reformat e thella dhe aktet e guximshme, si shfuqizimi i robërisë së romëve — një hap historik drejt humanizmit dhe emancipimit shoqëror — si dhe mbështetja për arsimin, kulturën dhe modernizimin e institucioneve shtetërore.

I frymëzuar nga idealet e lirisë dhe barazisë, Ghica ishte gjithashtu një nga zërat më të hershëm që promovoi bashkimin e principatave rumune, proces që çoi në formimin e shtetit modern rumun.

Ky nderim dëshmon edhe njëherë lidhjet e thella historike mes popullit shqiptar dhe atij rumun. Në këtë kontekst, institucionet shqiptare – si Muzeu Kombëtar dhe Akademia e Shkencave – ftohen të bëjnë më shumë për ta njohur publikun me figura të tilla të rëndësishme të diasporës shqiptare ndër shekuj.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com