VLEN: Mosnjohja e gjuhës shqipe nuk duhet të kalojë në frustrim

Dje, gjatë një paraqitjeje publike, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, në dy-tri raste shfaqi pakënaqësi nga komunikimi në gjuhën shqipe i kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami, me gazetarët e mediave në gjuhën shqipe. Në vend që të ndjehet keq që z. Kasami flet edhe maqedonisht njësoj si në gjuhën shqipe, ndërsa ajo – ndonëse jeton në një mjedis multigjuhësor – nuk di asnjë fjalë në gjuhën shqipe, ministrja Janevska reagoi për shkak se nuk e kuptonte gjuhën shqipe.

Për këtë arsye VLEN shpreh keqardhje për këtë qasje të ministres Janevska ndaj gjuhës shqipe dhe me këtë rast theksojmë se një qëndrim i tillë bie ndesh me frymën e respektit dhe bashkëjetesës që duhet ta mishërojë çdo përfaqësues i institucioneve shtetërore.

Në një shoqëri demokratike dhe multietnike, kur edhe diplomatët e huaj, që qëndrojnë në vendin tonë dy-tri vite, i mësojnë disa fjalë edhe në gjuhën shqipe, të jesh ministër, madje ministër i Arsimit, e të mos dish asnjë fjalë të gjuhës së bashkëqytetarëve shqiptarë e të reagosh ndaj përdorimit të gjuhës shqipe, kjo është vështirë e përkthyeshme në terma të bashkëjetesës, qytetarisë dhe respektimit të tjetrit në një shoqëri multigjuhësore. Ndërkaq respekti ndaj gjuhëve që fliten në këtë vend është respekt ndaj qytetarëve dhe ndaj vetë shtetit që i bashkon ata.

Siqodoftë, VLEN-i angazhohet për një kulturë institucionale që promovon bashkëjetesën përmes respektit ndërgjuhësor. Vetëm aty ku çdo gjuhë respektohet si vlerë e përbashkët, ndërtohet besimi në institucione dhe në barazinë që ato duhet ta mishërojnë.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com