Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar sot fotografi të 10 detonatorëve me fitila të gjetur në afërsi të fshatit Gnjezhdan, Leposaviq. Ai ka theksuar se këto mjete janë pjesë e planeve të vazhdueshme të grupeve kriminale dhe terroriste serbe për të ndërmarrë sulme në Kosovë.
Sveçla deklaroi se falë pranisë së fuqishme të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë, sulmet e mundshme janë parandaluar dhe rreziku është minimizuar.
“Kapja e këtyre detonatorëve ka shmangur sulme të rënda terroriste që do të synonin shkaktimin e dëmit, krijimin e pasigurisë dhe frikësimin e qytetarëve. Policia e Kosovës dhe institucionet tona do të vazhdojnë luftën kundër këtyre grupeve kriminale dhe terroriste, duke garantuar rendin, ligjshmërinë dhe sigurinë e qytetarëve,” tha Sveçla.
Rasti i fundit tregon vazhdimësinë e kërcënimeve terroriste nga grupet kriminale serbe në veri të Kosovës dhe vendosmërinë e institucioneve kosovare për t’i parandaluar ato.

