Europol godet grupin e vrasësve me pagesë që synonin rrëmbimin e kreut të një bande shqiptare

Europol ka goditur një grup vrasësish me pagesë të punësuar nga një rrjet kriminal për të rrëmbyer udhëheqësin e një bande rivale shqiptare të trafikut të drogës. Sipas autoriteteve, grupi i goditur përbëhej nga individë tepër të trajnuar, të pajisur me mjete profesionale dhe aktivë në shërbim të krimit të organizuar ndërkombëtar.

Operacioni, i koordinuar mes autoriteteve ligjzbatuese të Danimarkës, Francës, Letonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, u përqendrua te shtetasit letonezë – disa prej tyre me përvojë në Legjionin e Huaj Francez. Gjatë aksionit u arrestuan katër persona në vende të ndryshme të Evropës, ndërsa dy të tjerë, ndaluar më herët në Gjermani, tashmë janë dënuar.

Sipas Europolit, kriminelët ishin kontraktuar për të rrëmbyer kreun e një rrjeti shqiptar të dyshuar për vjedhjen e disa ton kanabis me vlerë miliona euro. Zhvendosja e ish-ushtarakëve të trajnuar në operacione të dhunshme po shihet si trend alarmues, veçanërisht pas luftës në Ukrainë.

Agjencia paralajmëron për rritjen e fenomenit të quajtur “Dhuna si Shërbim”, ku individë me trajnim të nivelit të lartë ofrojnë aftësitë e tyre për kryerjen e veprave të dhunshme në emër të grupeve kriminale. Përdorimi i ish-anëtarëve të forcave speciale për aktivitete kriminale paraqet një rrezik të ri për sigurinë në Evropë, ndërsa Europol thotë se monitorimi i këtij zhvillimi është thelbësor në muajt dhe vitet në vijim.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT