Roçi debuton me fitore, Hamza dhe Ilievski luftojnë në ndeshje të vështira

Pre futbollistët e Struga Trim Lum, Bojan Ilievski, Memetriza Hamza dhe Florian Roçi dhanë kontributin e tyre në ndeshjet që brenda tre ditëve zhvilluan ekipet zinxhir të përfaqësueses futbollistike të Maqedonisë…

Bojan Ilievski ishte i pari që doli në skenë, duke qenë pjesë e ekipit A përfaqësues të Maqedonisë, që me datë 4 shtator zhvilloi një miqësore kundër Arabisë Saudite. Vetëm një ditë më vonë, Memetriza Hamza zbriti në “Stadion Cracovii im. Jozefa Pilsudskiego” në Krakov në ndeshjen e parë të përfaqësueses U21 të Maqedonisë në kuadër të ciklit të ri eliminatorë për Europianin e vitit 2027, ndërkohë vetëm dje (06 shtator), Florian Roçi, bëri debutimin e tij me Maqedoninë U19, skuadër kjo që udhëhiqet nga Erhan Selimi.

Së bashku të hedhim një vështrim se si shkoi gjithçka për futbollistët e ekipit tonë.

BOJAN ILIEVSKI | Maqedonia A u mund nga Arabia Saudite

Bojan Ilievski të enjtën zhvilloi ndeshjen e tij të 5-të me fanellën e ekipit A përfaqësues të vendit. Mbrojtësi i krahut të djathtë të Struga Trim Lum luajti për gjatë gjithë pjesës së dytë në ndeshjen kontrolluese, në të cilën Maqedonia u mund me shifrat 2:1.

Në ndeshjen e zhvilluar në Pragë të Çekisë, gjërat që ndodhën në terren nuk paralajmëruan një fund të tillë, pasi falë eurogolit të Aleksandar Trajkovskit, Maqedonia avansoi me rezultatin 1:0 pesë minuta para fundit të pjesës së parë, mirëpo që shumë shpejtë “verdhekuqtë” lejuan barazimin, që më pas në pjesën e dytë, futbollistët e Arabisë Saudite të shënojnë edhe një gol tjetër, përmes të cilit siguruan fitoren.

Vlen të theksohet se për Bojan Ilievskin, ishte kjo ndeshja e dytë që zhvilloi me fanellën e ekipit kombëtarë kundër Arabisë Saudite. Pikërisht ndaj kësaj kombëtare, Ilievski kishte debutuar për herë të parë me fanellën e ekipit përfaqësues me datë 22 tetor të vitit 2022. Edhe atë kohë, Maqedonia kishte pësuar disfatë 1:0.

MEMETRIZA HAMZA | Shpresat e vendit u mundën në transfertën në Poloni

Memetriza Hamza luajti për gjatë 90 minutave në ndeshjen që përfaqësuesja U21 e Maqedonisë e zhvilloi kundër Polonisë në kuadër të ciklit të ri të eliminatoreve për një vend në Europianin e vitit 2027.

Hamza bëri një paraqitje shumë të mirë në debutimin e tij në një ndeshje zyrtare me ekipin U21 të vendit. Për futbollistin tonë 21-vjeçar, ishte kjo ndeshja e tij e tretë në përgjithësi me fanellën “verdhekuq”, në të cilën edhe pse kaloi ndoshta testin personal, nuk arriti të kaloj dot atë ekipor, pasi në fund shpresat e vendit pësuan disfatë me shifrat 3:0.

FLORIAN ROÇI – Debutim me fitore me ekipin U19 të Maqedonisë

Florian Roçi ka debutuar me fitore me ekipin U19 të Maqedonisë. Talenti strugan ishte pjesë e fitores kundër Bosnje e Hercegovinës, ndaj së cilës kombëtare, Maqedonia U19 zhvilloi dy ndeshje miqësore brenda pak ditëve.

Pas fitores 3:0 në ndeshjen e parë në Radovish, të besuarit e trajnerit Erhan Selimi, të shtunën shënuan edhe një fitore tjetër, këtë herë me shifrat 2:1.

Stefan Mlladenovski dhe Igor Ristov shënuan golat e fitores në këtë përballje të zhvilluar në Strumicë, derisa Roçi ynë në lojë u inkuadrua në minutën e 67-të, duke zëvendësuar pikërisht autorin e golit të dytë.

Ishin këto minutat e para për 18-vjeçarin tonë Florian Roçi, me shpresë se i njëjti do na përfaqësojë me mjaft sukses edhe në shumë ndeshje tjera me ekipet përfaqësuese të vendit, duke arritur madje deri te ekipi i parë, për të pasuar motrën e tij, Gentiana Roçi, që njëherit është edhe një nga kapitenet e ekipit A përfaqësues të Maqedonisë, në konkurrencë të femrave.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT