Përgatituni: Shiu do të bjerë gjatë gjithë javës

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme në disa rajone të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë përmbytje bodrumesh, daljen e lumenjve nga shtrati dhe rrëshqitje dheu. Ekipet e qendrave rajonale të krizave janë angazhuar në terren për pastrimin e mbetjeve, forcimin e argjinaturave dhe ndërhyrje në pikat më kritike, veçanërisht në Manastirë, Kërçovë, Ohër dhe Kumanovë. Në disa zona janë bllokuar rrugë për shkak të rrënojave dhe rrëshqitjeve, ndërsa në rrugën ndërmjet Makedonski Brodit dhe Shkupit është regjistruar një rrëshqitje e madhe që ka ndërprerë përkohësisht qarkullimin.

Niveli i shumë lumenjve është rritur ndjeshëm, në disa pika deri në tetë herë mbi mesataren e nëntorit, veçanërisht në lumin Treska, Vardar, Pçinja, Radikë, Drin i Zi dhe zona të tjera të vendit. Megjithatë, disa lumenj si Bregallnica në Berovë kanë regjistruar nivele më të ulëta se mesatarja. Autoritetet lokale po përgatiten për ndërhyrje të mundshme në rast përmbytjesh, ndërsa ekipet në terren vazhdojnë punën në të gjitha pikat e rrezikuara.

Parashikimet e motit tregojnë se situata e paqëndrueshme do të vazhdojë deri në fundjavë, me reshje më të dendura të premten dhe të shtunën, shoqëruar me stuhi lokale. Të dielën pritet ulje temperaturash dhe kalim i reshjeve në borë në zonat malore, ndërsa ditët e para të javës së ardhshme do të sjellin të ftohtë më të theksuar.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT