Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka komunikuar mbylljen e hetimeve për Aldo Avdylajn në kuadër të dosjes “Revanshi”, ku ai akuzohet për një sërë vepresh të rënda penale, përfshirë “sigurimin e kushteve për të vrarë” Durim Bamin, një vrasje e mbetur në tentativë. Në këtë ngjarje janë të përfshirë gjithsej 14 të pandehur, ndër të cilët Emiliano Shullazi, Astrit Avdylaj, Leonard Duka dhe Gjergji Cukali. Gjykimi i Avdylajt pritet të zhvillohet veçmas për shkak të arrestimit të tij më vonë.
Hetimi zbuloi bashkëpunimin e shtatë grupeve kriminale në qytete të ndryshme si Tiranë, Durrës, Lezhë, Fushë-Krujë, Kurbin, Shijak e Rrëshen, të cilat synonin eliminimin e Durim Bamit për llogari të Arben Nokës. Një tjetër procedim penal e implikon Avdylajn në vrasjen e Edmir Bregut më 21 janar 2021 në Durrës, e kryer sipas SPAK për hakmarrje, ku Avdylaj figuron si drejtues dhe koordinator i grupit kriminal.
Avdylaj u arrestua më 14 tetor në Tiranë. Për ngjarjen e Bregut, SPAK sqaron se ekzekutori ishte Alfred Doka, ndërsa Enea Kume ndihmoi në kryerjen e krimit. Avdylaj akuzohet për “vrasje me paramendim”, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal.

