Sektori për punë të brendshme në Kërçovë ngriti kallëzim penal kundër Fatmir Dehari nga fshati Sërbicë i Kërçovës, për shkak të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “punë e pandërgjegjshme në detyrë” sipas nenit 353 të Kodit Penal, njoftoi sot policia, transmeton Portalb.mk.
“Ai, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Kërçovës, ka vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme gjatë ushtrimit të autorizimeve të tij ligjore të dhëna me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe në kundërshtim me Ligjin për Zjarrfikje. I denoncuari, që nga viti 2016, çdo vit, me persona të caktuar ka lidhur kontrata punësimi në Njësinë Territoriale Zjarrfikëse – Kërçovë dhe pas mbarimit të afatit prej një vjet nga punësimi i tyre, nuk ka kryer mbikëqyrjen e duhur, nuk ua ka ndërprerë kontratën e punës dhe ka lejuar, të njëjtit të mos përfitojnë certifikatë përkatëse për kualifikim si zjarrfikës, të lëshuar nga organi shtetëror kompetent.” thuhet në kumtesën e policisë.
Ky është denoncimi i tretë për të, pasi në maj 2025 , ai mori padi penale për dyshimet se dëmtoi buxhetin komunal me gati 4 milionë denarë, kurse në korrik 2025 mori padi penale se lejoi ngritjen e një deponie të paligjshme mbeturinash në Kërçovë.
Kujtojmë se Dehari ri-kandidoi për kryetar të komunës së Kërçovës në zgjedhjet lokale 2025, por humbi nga kandidati i VMRO-së. Gjatë fushatës zgjedhore, ai u përmend në skandalin me materiale të përgjuara ku dëgjohet një zë i cili thuhet të jetë Dehari, të cilat janë me përmbajtje eksplicite, seksuale, korruptive, ofendime, sharje dhe të tjera.

