Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka reaguar pas vendimit të partisë për të mos e përfshirë në listën e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Përmes një postimi në Facebook, Veliu e ka cilësuar këtë vendim si “manovër të ulët”, duke theksuar se është një padrejtësi brenda partisë, pavarësisht se nuk ka humbur asnjë garë në karrierën e tij politike.
Ai shtoi se përjashtimi nuk është motivuar politikisht, por lidhet me frikën e disa individëve nga fuqia e tij elektorale dhe integriteti i dëshmuar gjatë viteve. Veliu theksoi se nuk ka qenë kurrë “barrë” për askënd dhe se suksesi i tij politik është arritur përmes punës dhe mbështetjes së qytetarëve, jo përmes pazareve brenda partisë.


