Pranon trajnimin ushtarak në Serbi: 120 persona nga veriu i Kosovës përgatiteshin për sulme terroriste

Jovan Viqentijeviq, i akuzuar për kryerje të veprës terroriste në kanalin e Ibër-Lepencit, ka pranuar se në bazën ushtarake serbe “Pasuljanske Livade” janë trajnuar 120 persona nga veriu i Kosovës, me qëllim të sulmeve të mundshme në Kosovë. Ai ka deklaruar se ka marrë pjesë në trajnim gjatë periudhës 14–23 shtator 2023.

 

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, gjatë transportimit nga Mitrovica e Veriut në Prishtinë dhe gjatë dërgimit në qendrën e paraburgimit, Viqentijeviq ka dhënë informacione mbi aktivitetin e tij të kundërligjshëm dhe për persona të tjerë të përfshirë në veprime të ngjashme.

Doktor Gurakuç Kuçi, hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, vlerëson se deklarimet e Viqentijeviq konfirmojnë planet rrezikshme të Serbisë ndaj Kosovës. Ai thekson se aktiviteti hibrid dhe kinetik i Serbisë nuk është rastësor, por pjesë e planeve ekspansioniste të Beogradit, duke synuar destabilizimin e Kosovës përmes krizave të vazhdueshme dhe goditjes së sistemit strategjik.

Kuçi shton se Serbia përdor edhe mjete propagandistike për të manipuluar narrativën rreth sulmeve terroriste, duke shpërndarë dyshime mbi origjinën reale të kërcënimit dhe duke synuar strategjinë “përcaj dhe sundo” brenda Kosovës.

“Me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këto synime ekspansioniste janë konfirmuar sërish. Është thelbësore të identifikohet qartë armiku real dhe të merret seriozisht parandalimi i këtyre planeve”, përfundon Kuçi, duke shtuar se përgjegjësia për mbrojtjen nga kërcënimet nuk bie vetëm mbi organet e sigurisë, por mbi gjithë shoqërinë.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT