Më 24 dhjetor është caktuar të mbahet seanca parlamentare për shkarkimin dhe zgjedhjen e ministrave të rinj, njofton KohaNews. Seanca do të udhëhiqet nga Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Së pari do të shkarkohet ministri për Çështjet Evropiane, Orhan Murtezani. Pas shkarkimit, deputetët do të votojnë për zgjedhjen e zv. kryeministrit të parë dhe ministër për Çështjet Evropiane, Bekim Sali nga partia Alternativa, si dhe për ministrin e Mjedisit, Muhamed Hoxha nga Lëvizja Demokratike, të dy nga koalicioni VLEN.
Zgjedhja e ministrave të rinj bëhet pas zgjedhjeve lokale, pasi zv. kryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, u zgjodh kryetar i komunës së Çairit.
Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se pas zgjedhjes së ministrave të rinj pritet një rikonstruim i madh i Qeverisë në pranverë, si pasojë e ndryshimeve në parti pas kongresit të VMRO-DPMNE-së, të mbajtur më 6 dhjetor.


