Bilall Kasami viziton punishten e çiftelisë së Isak Abduramanit në Vicë

Sot pasdite, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, vizitoi konakun e artistit të shquar Isak Abduramani në fshatin piktoresk të Tetovës, Vicë. Në punëtorinë e tij, ku çdo tingull i çiftelisë mbart shpirtin e tij dhe dashurinë për kulturën tonë, Kasami pati mundësinë të njohë nga afër pasionin dhe përkushtimin e artit që Isaku përcjell me shumë dashuri, transmeton KohaNews.

Çiftelia për Isakun nuk është vetëm një vegël muzikore, por një simbol trashëgimie dhe inspirimi për brezat e ardhshëm. Punëtoria e tij shërben si vatër mikpritjeje, vend ku fjala dhe muzika bashkohen dhe ku arti bëhet pjesë e jetës së përditshme.

Gjatë vizitës, Isaku ndau kujtime nga periudhat e vështira që kaloi, duke treguar dashurinë për tokën, njerëzit dhe besimin e palëkundur në drejtësi dhe liri, edhe në kohën kur ishte i përndjekur nga regjimi jugosllav.

Kryetari Kasami shprehu mirënjohje për këtë takim dhe për trashëgiminë shpirtërore që Isaku po lë brezave, duke e cilësuar si një thesar të kulturës dhe identitetit tonë kombëtar.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT