Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ka prezantuar sot bartësin e listës së koalicionit VLEN për Komunën e Tetovës, Albi Qamilin.
Edhe pse në moshë të re, Albi Qamili tashmë është i njohur për publikun si një aktivist i palodhur dhe i përkushtuar. Ai ka përfunduar studimet universitare në Shkenca Politike dhe aktualisht ndjek studimet pasdiplomike në drejtimin e së Drejtës Kushtetuese.
Qamili ndër vite ka qenë pranë qytetarëve dhe veçanërisht të rinjve, duke u angazhuar në organizime, debate dhe nisma shoqërore e politike. Energjia dhe vizioni i tij përfaqësojnë gjeneratën e re të të rinjve aktivë, të cilët duan të sjellin ndryshime konkrete në jetën publike.
“Me Albin bartës të listës, koalicioni VLEN sjell energjinë e ndryshimit dhe garanton që të rinjtë të kenë zërin dhe vendin e merituar në politikën lokale,” thuhet në prezantim.
Koalicioni VLEN synon që përmes përfaqësuesve të rinj dhe profesionistë, të sjellë ndryshime të prekshme në Tetovë dhe më gjerë.