Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është tërhequr për të marrë vendim lidhur me kërkesën e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, si dhe të dy vartësve të saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, për heqjen e masave të sigurisë të vendosura ndaj tyre.
Belinda Balluku nuk ishte e pranishme në seancë dhe u përfaqësua nga dy avokatët e saj, ndërsa Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, të cilët ndodhen nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, u paraqitën në gjykatë së bashku me përfaqësuesit e tyre ligjorë.
Vendimi i ankimit do të shqyrtohet nga gjyqtarja Miliana Muça dhe pritet të shpallet në vijim.
Ndaj Ballukut rëndojnë akuza për shkelje të barazisë në tenderë, përfshirë procedurën e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë me vlerë rreth 210 milionë euro, si dhe 7 lotet e Unazës së Madhe të Tiranës, me prokurime rreth 450 milionë euro. Hetimet mbi këto çështje vijojnë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).


