Sot, me krenari dhe respekt të veçantë, shënojmë 29-vjetorin e themelimit të Komunës së Zhelinës, një ditë e rëndësishme që na fton të reflektojmë mbi rrugëtimin tonë të përbashkët dhe të shohim me besim drejt së ardhmes.
Këto 29 vite kanë qenë vite sfidash, përpjekjesh dhe angazhimi të vazhdueshëm. Në këtë përvjetor, shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë ish-kryetarët e Komunës së Zhelinës, ish-kryesuesit e këshillit komunal, të cilët me punën dhe kontributin e tyre kanë ndërtuar themelet institucionale mbi të cilat ne vazhdojmë të ndërtojmë sot.
Falënderoj institucionet arsimore, shkollat dhe arsimtarët, për përkushtimin e tyre të palodhshëm në edukimin e brezave të rinj dhe për organizimin e aktiviteteve të ndryshme arsimore, kulturore dhe shoqërore që e gjallërojnë jetën komunitare.
Dua të shpreh mirënjohje të sinqertë për Njësinë e zjarrfikësve, Drejtorinë për mbrojtje dhe shpëtim, Bashkësitë lokale dhe për Stacionin Policor, të cilët me përkushtim dhe gatishmëri shërbejnë çdo ditë në interes të qytetarëve, duke garantuar siguri, rend dhe shërbime të domosdoshme për komunitetin tonë.
Një falënderim i veçantë u takon artistëve, krijuesve dhe sportistëve tanë, të cilët me talentin dhe sukseset e tyre e kanë përfaqësuar Zhelinën me dinjitet, duke i dhënë komunës tonë zë, identitet dhe krenari.
Një mirënjohje e veçantë i shkon mërgatës sonë, e cila, pavarësisht largësisë, mbetet gjithmonë e lidhur fort me vendlindjen, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik, social dhe njerëzor të Komunës së Zhelinës.
Falenderoj shumë administratën e komunës dhe Ndërmarrjen komunale publike, që gjatë gjithë kohës më kanë qëndruar pranë duke ju shërbyer qytetarëve, pa ndërprerë dhe duke mos shikuar orarin e punës.
Falënderoj nga zemra qytetarët tanë, për besimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, si dhe rininë tonë, e cila është energjia, shpresa dhe e ardhmja e kësaj komune.
Një falënderim i veçantë u takon Forumit të Gruas, për angazhimin e tyre në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri dhe jetën publike, si dhe Shoqatës së Pensionistëve, për kontributin, përvojën dhe vlerat që kanë përcjellë ndër breza.
Sot, Zhelina po ecën me hapa të sigurt drejt zhvillimit të qëndrueshëm, me projekte konkrete, vizion të qartë dhe përkushtim ndaj interesit publik. Ky përvjetor nuk është vetëm një moment përkujtimi, por një zotim për të vazhduar punën me përgjegjësi, transparencë dhe bashkëpunim, në shërbim të çdo qytetari.
Me besim në të ardhmen dhe me respekt për të kaluarën, ju uroj të gjithëve:
Gëzuar 29-vjetorin e themelimit të Komunës së Zhelinës!


