Ish-konkurrentja e “Big Brother VIP Albania 4”, Loredana Brati, ka reaguar publikisht pas qarkullimit të disa fotografive në rrjete sociale, ku pretendohet se ajo shfaqet krah Jozit. Përmes një mesazhi drejtuar ndjekësve në kanalin e saj “Lori’s People”, ajo ka sqaruar se këto imazhe nuk janë reale, por janë krijuar përmes Inteligjencës Artificiale.
Loredana ka kërkuar që shpërndarja e këtyre fotove të ndalet menjëherë, duke i cilësuar ato si dashakeqe dhe të dëmshme, pasi krijojnë keqkuptime dhe përhapin disinformacion tek publiku. Sipas saj, imazhet e rreme nuk pasqyrojnë realitetin dhe përbëjnë një formë mashtrimi që nuk duhet normalizuar.
Ajo theksoi se përdorimi i AI-së në këtë mënyrë dëmton jo vetëm figurën publike të individëve, por edhe besimin e ndjekësve, duke apeluar për përgjegjësi në përdorimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve të tilla.
Në mesazhin e saj, Loredana nuk la pa falënderuar edhe fansat për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se ata kanë qenë shtylla e saj kryesore në momentet më të vështira. “Mbështetja juaj ka qenë drita në periudhat më të errëta të jetës sime,” u shpreh ajo.
Ky reagim vjen pas spekulimeve të shumta që lidhen me marrëdhënien e saj me Jozin, e cila u komentua gjerësisht gjatë dhe pas qëndrimit të tyre në “Big Brother VIP Albania 4”. Pas përfundimit të reality show-t, lidhja e tyre nuk vazhdoi, ndërsa Loredana synon që me këtë reagim të mbyllë një kapitull të kaluar dhe të ndalë përpjekjet për rikthimin e thashethemeve përmes mjeteve teknologjike.


