Antonio Costa: Shkupi i di qartë detyrimet për rrugën drejt Bashkimit Evropian

Bashkimi Evropian ka ripërsëritur angazhimin e tij për forcimin e bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se perspektiva evropiane e rajonit mbetet e hapur dhe e qartë. Kjo u theksua në Deklaratën përfundimtare të Samitit të përbashkët BE – Ballkani Perëndimor, ku zgjerimi u cilësua si një mundësi strategjike që duhet shfrytëzuar në mënyrë konkrete.

 

Në deklaratë vihet theksi edhe mbi domosdoshmërinë e përmbushjes së obligimeve nga ana e vendeve aspiruese, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Bashkëpunimi rajonal gjithëpërfshirës, pajtimi dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore u vlerësuan si elemente kyçe për stabilitetin dhe integrimin evropian të rajonit. Po ashtu, u nënvizua rëndësia e zbatimit me vullnet të mirë dhe rezultate të prekshme e marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen për miqësi dhe bashkëpunim me Bullgarinë.

Gjatë Samitit, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë lidhur me procesin integrues të Maqedonisë së Veriut, duke vlerësuar se autoritetet në Shkup janë të vetëdijshme për hapat që duhet të ndërmarrin.

“Sa i përket Maqedonisë së Veriut, ne përshëndesim përpjekjet për forcimin e ndërlidhjes rajonale dhe presim përparim real gjatë vitit 2026. Autoritetet e vendit e dinë se çfarë duhet të bëjnë”, deklaroi Costa.

Në Samit mori pjesë edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili theksoi se Qeveria është e përkushtuar në zbatimin e reformave të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai vlerësoi se vendi e ka merituar anëtarësimin shumë kohë më parë, por sipas tij, pengesa të panevojshme dhe artificiale kanë vonuar procesin integrues.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT