Kryeqytetet ballkanase përsëri renditen ndër më të ndoturit në botë për cilësinë e ajrit. Sot në mëngjes, Shkupi u fut mes qyteteve me ajër më të keq globalisht, me indeks 155 – kategori “i pashëndetshëm” – duke zënë rreth vendin e 7-të në listat botërore në momentin e matjes.
Këto renditje ndryshojnë çdo orë, por problemi mbetet i njëjtë: rajoni po hyn sërish në sezonin e episodeve të rënda të ndotjes.
- Sarajeva ishte rasti më ekstrem ditët e fundit, duke kaluar edhe në zonën “të rrezikshme”. Autoritetet vendosën masa urgjente: kufizime për automjete që nuk plotësojnë standardet evropiane, ndalim për kamionë të rëndë dhe ndërprerje të aktiviteteve në ajër të hapur. Shkollat u rekomanduan të mbajnë fëmijët brenda.
- Prishtina pati pikun e saj më 10 dhjetor, duke u renditur ndër 10 qytetet më të ndotura në botë.
- Zagrebi, edhe pse zakonisht me shifra më të ulëta se Shkupi dhe Sarajeva, shfaqet rregullisht në lista gjatë dimrit, sidomos për grupet e ndjeshme.
Shkaqet kryesore në të gjithë rajonin: djegia e drurit dhe qymyrgurit për ngrohje, automjete të vjetra, pluhuri nga ndërtimet dhe industria, plus inverzioni termik që “mbyllet” ndotja mbi qytete.
Rekomandimet janë të njëjta kudo: shmangni aktivitetin fizik jashtë, ajrosni shkurt dhe me kujdes, dhe minimizoni burimet shtesë të tymit brenda. Por pyetja e madhe mbetet: a do të kthehen këto “lista turpi” në politika të qëndrueshme për ngrohje, transport dhe kontroll emetimesh, apo do të mbetemi te apeli vjetor?


