Nga: Mustafa Dauti (Zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Doganave të RMV-së)
Gjatë vitit që po lëmë pas, Doganat e Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë shënuar rezultate të rëndësishme dhe progres të qëndrueshëm në realizimin e objektivave strategjike. Ky vit është karakterizuar nga një angazhim i shtuar dhe përgjegjësi profesionale, duke kontribuar drejtpërdrejt në forcimin e sigurisë ekonomike dhe fiskale të shtetit tonë.
Nën udhëheqjen tonë, me një vizion të qartë dhe menaxhim efikas, kemi ndërmarrë masa konkrete për modernizimin e sistemeve doganore dhe forcimin e kontrollit kufitar. Fokus i veçantë i është kushtuar luftës kundër kontrabandës dhe korrupsionit, ku rezultatet janë tashmë të dukshme: të hyrat buxhetore të realizuara gjatë vitit 2025 kanë arritur në mbi 100 milionë euro.
Gjatë kësaj periudhe, kemi rritur numrin e kallëzimeve penale dhe kemi konfiskuar sasi të mëdha mallrash të paligjshme, përfshirë ari, lëndë narkotike, automjete dhe mallra të falsifikuara. Këto suksese janë shoqëruar me një bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar, përmes nënshkrimit të memorandumeve me partnerë si Bullgaria dhe Turqia, duke e afruar Maqedoninë e Veriut gjithnjë e më shumë me standardet e Bashkimit Evropian.
Një arritje tjetër madhore është vendosja e konceptit “me një ndalesë të vetme” (One-Stop-Shop) në pikat kufitare Jazhincë-Glloboqicë dhe Bllacë-Hani i Elezit me Republikën e Kosovës, si dhe në Tabanovcë me Serbinë. Kemi hapur kështu një rrugë të re drejt atdheut—më të shpejtë, më të lehtë dhe më afër se kurrë më parë për bashkëatdhetarët tanë.
Përveç progresit teknik, vlerë të veçantë i kemi dhënë përfaqësimit dhe drejtësisë. Realizimi i 21 punësimeve të reja për shqiptarët në Doganë është një arritje e jashtëzakonshme që dëshmon fuqinë dhe vendosmërinë tonë për barazi reale. Kjo shënon një faqe të re në historinë e përfaqësimit shqiptar në institucionet shtetërore, si fryt i punës sonë të palodhshme.
Këto rezultate janë dëshmi e një qeverisjeje të përgjegjshme që vendos themelet e një sistemi doganor modern dhe të besueshëm. Vazhdojmë angazhimin tonë profesional për rezultate edhe më të mira në vitin që vjen!


