TIRANË – Një aksident rrugor ka ndodhur këtë të premte në aksin e “Rrugës së Arbrit”, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur dy persona.
Sipas të dhënave paraprake, një automjet tip makinë është përplasur me një kamion, duke përfunduar e përmbysur në anë të rrugës. Dyshohet se shkak për aksidentin ka qenë lagështira e madhe në rrugë, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë vendin gjatë orëve të fundit.
Ekipet e emergjencës kanë mbërritur në vendngjarje për t’u dhënë ndihmën e parë të lënduarve, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve për shkak të kushteve të vështira atmosferike.


