Punëdhënësit para detyrimit ligjor: Nga korriku fillon pagesa e K-15

Punëtorët e sektorit privat në Maqedoninë e Veriut nga 1 korriku mund të presin pagesën e regresit për pushimin vjetor, i njohur si K-15. Sipas llogaritjeve të bazuara në pagën mesatare neto të tre muajve të fundit, shuma minimale e këtij regresi për vitin 2026 arrin në 19.116 denarë.

 

Lartësia e K-15 është përcaktuar në bazë të pagës mesatare neto për muajt shkurt, mars dhe prill, e cila ka arritur në rreth 47.790 denarë. Marrëveshja Kolektive për sektorin privat përcakton se regresi për pushimin vjetor duhet të jetë së paku 40 për qind e kësaj page.

Të drejtën për ta përfituar këtë kompensim e kanë të gjithë punëtorët që kanë të paktën gjashtë muaj punë të pandërprerë te i njëjti punëdhënës gjatë vitit kalendarik. Ndërkohë, punëdhënësit mund të vendosin të paguajnë edhe shuma më të larta, nëse kjo parashihet me marrëveshje kolektive ose me vendime të brendshme të kompanive.

Megjithatë, ligji parashikon edhe përjashtime. Ndërmarrjet që operojnë me humbje ose përballen me vështirësi financiare mund të kërkojnë uljen e shumës së K-15 ose lirimin nga kjo detyrë, por vetëm nëse plotësojnë kushtet e përcaktuara me ligj dhe posedojnë dokumentacionin përkatës.

Mosrespektimi i detyrimit për pagesën e regresit mund të sjellë masa ndëshkuese për punëdhënësit. Inspektorati Shtetëror i Punës ka të drejtë të kryejë kontrolle, ndërsa punëtorët mund të paraqesin ankesa ose të kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre në gjykatë.

Për mijëra familje, K-15 mbetet një nga të ardhurat shtesë më të rëndësishme gjatë muajve të verës, kur shpenzimet për pushime dhe nevojat e përditshme rriten. Pavarësisht barrës financiare për kompanitë, regresi për pushimin vjetor mbetet një e drejtë e garantuar e punëtorëve dhe jo një shpërblim apo bonus vullnetar,përcjell INA.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT