Kongresi i Berlinit, lindja e Serbisë moderne dhe fillimi i narrativës së Kosovës

ZBULOHET PRAPASKENA E HISTORISË: Si e shpiku Kongresi i Berlinit mitin modern të Kosovës dhe si e ndryshoi përgjithmonë Serbinë?

 

Analizë e bisedës me Milivoj Beshlin (I)

Shkruar nga: Ismet Azizi

Biseda e historianit Milivoj Beshlin me Veton Surroin në emisionin “Pikë” përfaqëson një nga diskutimet historike publike më interesante të viteve të fundit. Në vend të vlerësimeve ditore-politike, Beshlin përpiqet t’i shpjegojë proceset kyçe të historisë moderne serbe përmes një konteksti më të gjerë evropian dhe ballkanik. Pikërisht për këtë arsye, kjo bisedë meriton një analizë të kujdesshme.

Ky serial nuk synon të konfirmojë apo të kundërshtojë bashkëbiseduesin, por t’i vështrojë tezat e tij në dritën e burimeve historike dhe historiografisë bashkëkohore. Pjesa e parë e bisedës tërheq vëmendjen veçanërisht për mënyrën se si Beshlin shpjegon pasojat e Kongresit të Berlinit të vitit 1878 në zhvillimin e politikës kombëtare serbe.

Kongresi i Berlinit – më shumë se një njohje ndërkombëtare

Në tekstet shkollore, Kongresi i Berlinit kryesisht paraqitet si momenti kur Serbia fitoi njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së saj. Megjithatë, Beshlin hap një çështje tjetër: pse Serbia nuk zhvilloi kurrë një kulturë të fuqishme përkujtimore për atë ngjarje, ndonëse pikërisht atëherë u bë shtet i njohur ndërkombëtarisht?

Shpjegimi i tij është intrigues. Sipas tij, elitat politike në Serbi konsideronin se pavarësia ishte arritur, por jo edhe qëllimi tjetër – bashkimi kombëtar. Me fjalë të tjera, shteti u njoh, por nuk përfshiu të gjitha hapësirat që ideologjia kombëtare e atëhershme i konsideronte si hapësira etnike serbe. Për këtë arsye, Kongresi i Berlinit në një pjesë të traditës politike dhe historiografike serbe për një kohë të gjatë u përjetua jo vetëm si sukses, por edhe si një lloj zhgënjimi.

Ndryshimi i drejtimit strategjik

Ndoshta teza më interesante në këtë pjesë të bisedës ka të bëjë me ndryshimin e drejtimit gjeopolitik të Serbisë pas vitit 1878.

Beshlin mendon se deri në Kongresin e Berlinit, drejtimi kryesor i politikës kombëtare serbe ishte përqendruar kah Bosnjë-Hercegovina. Megjithatë, pasi Austro-Hungaria mori të drejtën për të administruar Bosnjë-Hercegovinën, ky drejtim praktikisht u mbyll. Serbia, sipas interpretimit të tij, u detyrua që vëmendjen e saj politike dhe territoriale ta drejtonte nga jugu – Kosova dhe Maqedonia. Kjo tezë meriton vëmendje të veçantë. Ajo nuk flet vetëm për ndryshimin e politikës së jashtme, por edhe për ndryshimin e mënyrës se si formësohej narrativa kombëtare.

Kosova si qendra e re e narrativës kombëtare

Sipas Beshlin, pikërisht në ato rrethana miti i Kosovës merr një vend të ri në jetën politike dhe kulturore të Serbisë.

Është me rëndësi të theksohet se ai nuk pretendon se tradita e Kosovës lindi atëherë. Përkundrazi, ajo ekzistonte edhe më parë përmes letërsisë epike dhe traditës gojore. Megjithatë, teza e tij themelore është se në fund të shekullit XIX, narrativa e Kosovës u bë elementi qendror i ideologjisë moderne kombëtare, sepse u përgjigjej rrethanave të reja politike pas Kongresit të Berlinit.

Kjo është një nga çështjet që meriton një debat serioz shkencor. Pavarësisht nëse të gjithë historianët do të pajtohen me një interpretim të tillë, është e padiskutueshme se Beshlin ofron një lidhje logjike midis rrethanave ndërkombëtare dhe zhvillimit të ideologjisë kombëtare.

Historia si objekt debati

Vlera e kësaj bisede nuk qëndron në atë që ofron përgjigje përfundimtare, por që nxit pyetje të reja. A mund të kuptohet zhvillimi i narrativës kombëtare serbe pa Kongresin e Berlinit? A çoi vërtet ndryshimi i drejtimit të politikës së jashtme në forcimin e idesë së Kosovës? Në çfarë mase rrethanat ndërkombëtare i formësuan programet kombëtare të shteteve ballkanike?

Këto janë pyetje që tejkalojnë politikën ditore dhe hyjnë në hapësirën e debatit serioz historiografik. (Vazhdon)

TË NDRYSHME

TË FUNDIT