Një aksion i shpejtë i Policisë së Hvarit ka parandaluar një sulm të planifikuar fizik ndaj dy punëtorëve sezonalë, shtetas të Serbisë. Policia ka arrestuar 14 persona, të gjithë shtetas kroatë, të cilët kishin zbarkuar në ishull të armatosur me shkopinj dhe maska.
Gjatë një patrollimi rutinë pranë një hoteli në Hvar, policia ka identifikuar dy automjete të dyshimta me 14 persona brenda tyre. Pas urdhrit për të dalë nga automjetet dhe kontrollit vizual, zyrtarët policorë gjetën dhe sekuestruan një sasi sendesh të destinuara për sulm dhe fshehje të identitetit.
Plani i organizuar dhe sekuestrimi i mjeteve
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se grupi kishte një plan të mirëorganizuar:
-
Rruga: 12 persona ishin nisur me gliser nga Trogiri dhe Kaštela, duke u ndalur në gjirin Stiniva Bruška (rreth 10 km larg hotelit).
-
Pritja: Në gji po i prisnin dy persona të tjerë me një furgon dhe një veturë për t’i transportuar drejt hotelit ku po qëndronin shënjestrat e sulmit.
-
Armatimi: Policia gjeti të fshehura nën xhaketa dhe peshqirë shkopinj druri, një shkop teleskopik (armë e ftohtë) dhe kapuçë (fantomke) për maskimin e fytyrës.
Masat ligjore dhe të arrestuarit
Të gjithë të dyshuarit, të moshave të reja (të lindur midis viteve 1993 dhe 2008), janë arrestuar. Ndaj tyre do të ngrihet padi penale për veprën “Komplot për të kryer vepër penale” sipas Kodit Penal të Kroacisë.
Katër prej tyre – një 33-vjeçar, dy 22-vjeçarë dhe një 18-vjeçar – janë dërguar tashmë në paraburgim. Mjetet e sulmit, gliseri dhe automjetet janë sekuestruar përkohësisht deri në një vendim të dytë të gjykatës.


