Akuzat tronditëse / Valon Ademi: Behgjet Pacolli më ofroi 80 mln euro që t’ua dorëzonim Aeroportin e Vlorës rusëve

Një përplasje e fortë dhe me prapavijë të rëndë gjeopolitike ka shpërthyer lidhur me projektin e Aeroportit të Vlorës. Pronari i “2A Group”, Valon Ademi, ka lëshuar akuza publike tejet të rënda ndaj politikanit dhe afaristit Behgjet Pacolli, duke e cilësuar atë si një “emisar dhe agjent” që po tenton të kalojë këtë aset kombëtar në duart e interesave ruse.

 

Përmes një reagimi të ashpër, Ademi ka zbuluar se zanafilla e konfliktit daton që nga shkurti i vitit 2025, kur sipas tij, ka refuzuar një ofertë prej dhjetëra miliona eurosh.

Pikat kryesore nga denoncimi i Valon Ademit:

  • Oferta 80-milionëshe: Ademi pretendon se në shkurt të vitit 2025 ka refuzuar një ofertë prej 80 milionë eurosh nga Pacolli për t’ia shitur aksionet e aeroportit kapitalit rus. Sipas tij, Pacolli i kishte kërkuar të mos shqetësohej pasi “pronar formal do të vazhdonte të figuronte Mabco”.

  • Skema financiare “Bernina”: Pronari i “2A Group” i ka bërë thirrje Pacollit që t’u tregojë shqiptarëve se kush fshihet pas strukturës “Compartment Bernina” dhe me sa rubla është paguar për të zbatuar këtë skemë që bie ndesh me interesin publik.

  • Akuzat për Bart Turtelboom: Ademi shton se lufta e tij kryesore ligjore është me kolegun e Pacollit, Bart Turtelboom, të cilin e quan “ekzekutor të skemës financiare dhe juridike” për dorëzimin e aeroportit.

  • Mesazhi i prerë: “Ata mund të blejnë gazetarë, media e portale, por Aeroportin e Vlorës nuk do ta blejnë kurrë. Tregoju shefave të tu se unë nuk shitem, nuk intimidohem dhe nuk dorëzohem,” shprehet Ademi në letrën e tij drejtuar Pacollit, duke e mbyllur me fjalët “Turp të qoftë emri Behgjet e mbiemri Pacolli!”.

Deri më tani, nga ana e biznesmenit Behgjet Pacolli apo kompanisë “Mabco” nuk ka një reagim zyrtar lidhur me këto akuza të rënda të ngritura nga partneri i tij në këtë projekt.

TË NDRYSHME

TË FUNDIT