Ali Ahmeti nga Tetova: Do të mbrojmë stabilitetin dhe Marrëveshjen e Ohrit

Nga Tetova, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Shoqatës së Shtypit të Huaj nga Zvicra dhe Lihtenshtajni (APES), ku u diskutuan çështje kyçe si integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, lufta në Ukrainë dhe zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë takimit, Ahmeti theksoi se BDI ka kontribuar gjithmonë në stabilitetin dhe integrimin evropian të vendit gjatë pjesëmarrjes në qeveri. Ai nënvizoi se, edhe në opozitë, do të vazhdojë të mbrojë stabilitetin dhe elementet bazë të Marrëveshjes së Ohrit, të cilat, sipas tij, janë të rrezikuara nga grupacione të ndryshme politike.
Ahmeti deklaroi se do të përdorë të gjitha mekanizmat demokratikë për të ruajtur kursin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut dhe për të siguruar që vlerat e Marrëveshjes së Ohrit të mbeten të pacenuara, duke mbrojtur të drejtat e garantuara të qytetarëve shqiptarë në vend.