GJEVGJELI – Një 30-vjeçar nga Kosova është arrestuar nga policia e Maqedonisë së Veriut, pasi u kap duke drejtuar automjetin e tij me një shpejtësi tejet të lartë, pothuajse sa dyfishi i normës së lejuar.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës (18 maj), rreth orës 22:18, në autostradën A1, në afërsi të nyjës rrugore në Smokvicë të rajonit të Gjevgjelisë. Sipas njoftimit zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), shtetasi me iniciale B.T., po qarkullonte me një automjet të tipit “Audi A6” me targa të Kosovës në një zonë ku kufizimi i shpejtësisë është 120 km/h.
“Gjatë kontrollit të qarkullimit rrugor me pajisje radar, zyrtarët policorë nga SPB Strumicë – DPB Gjevgjeli kanë konstatuar se mjeti lëvizte me 203 kilometra në orë. Drejtuesi i mjetit është përjashtuar menjëherë nga komunikacioni dhe është privuar nga liria,” thuhet në deklaratën e MPB-së.
Për rastin është njoftuar menjëherë prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Gjevgjeli. Ndaj shtetasit të Kosovës është ngritur kallëzim penal përkatës sipas nenit 297-a të Kodit Penal, i cili sanksionon “drejtimin e pakujdesshëm të automjetit motorik”.


