Home OPINION Bekim Fazliu: Përtej dështimeve administrative – Pse përçmimi ndaj qytetarit ishte vula...

Bekim Fazliu: Përtej dështimeve administrative – Pse përçmimi ndaj qytetarit ishte vula e vërtetë e qeverisjes së BDI-së: “Tetovarkat”, “trandofilkat” dhe “bythpambukët”

15

Në vitin 2013, Këshilli i Komunës së Tetovës e shpalli Ramush Haradinajn “Qytetar nderi të Tetovës”. Ky vendim u shfuqizua nga Inspektorati i Vetëqeverisjes Lokale, i udhëhequr nga Vanço Shehtanski, institucion në varësi të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, e drejtuar atëherë nga BDI. Çfarë bëri BDI-ja? ASGJË. As reagim serioz. As kundërshtim institucional. As shkarkim të Shehtanskit. As mbrojtje të autonomisë së komunave. Heshtje totale. Madje, jo vetëm që nuk e shkarkuan, por Shehtanski vazhdoi të tallej publikisht me BDI-në. Vetëm ky rast mjafton për t’ua kujtuar shqiptarëve se kush jeni dhe si keni vepruar kur keni qenë në pushtet.

 

Ju njohim mirë se kush jeni. A mos vallë e keni harruar sagën e emrave të shkollave në Çair? Vendimet e këshillave të shkollave dhe të komunës ishin 100% ligjore, por ju nuk kishit takat politik t’i implementonit. Apo që prej atëherë e sabotonit Izet Mexhitin.

Sa i përket vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese, (vazhdoj t’i qëndroj mendimit tim për Gjykatën Kushtetuese, se është një institucion-stallë ku në krye qëndron një MUZAT), ai nuk është asgjë tjetër veçse vazhdimësi e praktikës së qeverive ku BDI-ja ishte pjesë. Për vite me radhë, institucionet qendrore nuk e njohën vendimin e Këshillit Komunal të Tetovës për ndryshimin e emrave të rrugëve. Pyetini qytetarët e Tetovës, kërkojini t’ua tregojnë dokumentet personale apo faturat me adresat zyrtare, shpjegojuani më pas edhe të gjithë të tjerëve se përse kurrë në adresat zyrtare nuk u shkruan emrat shqip por vazhduan të figurojnë emrat sllavë.

● Nëse doni edhe më shumë për Tetovën, lista nuk mbaron këtu.

Kur ishit në pushtet, Tetova u helmua për vite me radhë nga Jugohromi pa filtra. Qyteti mbeti pa zgjidhje për problemin e ujit të pijshëm. Ta lësh pa ujë një qytet rrëzë Malit Sharr, mes burimeve të panumërta ujore, nuk është thjesht dështim administrativ, ËSHTË DËSHTIM HISTORIK dhe KRIM I PAFALSHËM NDAJ QYTETARËVE. Kaosi urbanistik u bë normalitet. Rrugët me gropa, balta, mungesa e planifikimit dhe problemet që zvarriteshin me vite u trajtuan si gjendje e zakonshme.

Pastaj ndodhi edhe tragjedia e spitalit modular, një nga ngjarjet më të rënda që ka përjetuar Tetova në historinë e saj të afërt.

Në të njëjtën kohë nuk i ndalët allashverishet me Daka Davidoviqin e botës serbe dhe me figura të tjera të dyshimta, e me qytetarët silleshit me arrogancë që nuk njihte kufi.

● Por ndoshta më shumë se dështimet, tetovarët nuk ua falin përçmimin. I quajtët “bythpambukë”. Përdornit fjalor denigrues prej maniaku për vajzat dhe zonjat e këtij qyteti, nuk i ndalnit fjalët fyese ‘tetovarkat’ e “trandofilkat”. Jo vetëm me tetovarët në fakt. Ju u tallët me këdo që mendonte ndryshe nga ju.

● Sot ju po na dilni si mbrojtësit më të mëdhenj të Tetovës. Sikur memoria e qytetarëve të jetë fshirë. Sikur 20 vite qeverisje të jenë zhdukur nga kujtesa kolektive. Çfarë guximi. Ose, më saktë, çfarë nënvlerësimi i inteligjencës dhe kujtesës së tetovarëve.

P.S. Ky status nuk është shkruar për të mbrojtur as VLEN-in e askënd tjetër. Përkundrazi, çdo qeveri duhet të kritikohet kur gabon. P.sh Lëvizja Arbëria nuk është plotësisht e kënaqur me ecurinë e realizimit të marrëveshjes dhe as me performancën e disa zgjidhjeve kadrovike të VLEN-it. Por në rastin konkret, VLEN-i është ndër të fundit që mund të mbahet përgjegjës. Përgjegjësia kryesore bie mbi ata që për më shumë se dy dekada i kishin në dorë të gjitha instrumentet e pushtetit dhe zgjodhën të mos zgjidhnin asnjë problem.

P.P.S. Nëse dikë e ka marrë malli për mënyrën se si qeveriste BDI-ja, kthejini sytë nga “mbetja e saj”, Gjykata Kushtetuese. Ajo është pasqyra besnike e sistemit që BDI ndërtoi dhe mbrojti për vite me radhë.