Ky është një reagim i ashpër që vjen nga radhët e koalicionit VLEN, i cili pason përplasjet e fundit mbi financimin e mediave me para publike. Pasi pronari i gazetës “Koha”, Lirim Dullovi, reagoi ndaj një postimi të Bekim Qokut, ky i fundit i është përgjigjur duke publikuar shifra konkrete të përfitimeve të kësaj gazete nga buxheti i shtetit. Me një referencë të fortë ndaj incidentit të dikurshëm në Kuvend, ku Beqir Asani (BDI) kishte goditur fizikisht Dullovit, Qoku thekson se koha e “disiplinimit” me dhunë ka mbaruar, por debati për paratë publike mbetet i hapur, raporton Kohanews.
Nga Bekim Qoku
Kur je figurë publike, duhet ta pranosh se je subjekt kritikash. Kjo është pjesë e jetës publike, sidomos në kohën e rrjeteve sociale, ku opinioni shpërndahet me shpejtësi dhe pa filtër. Në emër të fjalës së lirë, gazetarët dhe zërat publikë kanë të drejtë të shprehin qëndrimet e tyre. Por liria e shprehjes ka edhe kufij etikë. Ajo nuk mund të shndërrohet në ofendim, përqeshje apo shpërfytyrim të qëllimshëm të figurës publike, sidomos kur kjo vjen nga pronarë mediash apo gazetarë që pretendojnë standard profesional.
Pronari i gazetës “Koha” reagoi në mënyrë kritike, madje ofenduese, ndaj një postimi tim, ku unë thjesht publikova një analizë të portalit Portalb. Në atë postim nuk e etiketova gazetën “Koha”. Megjithatë, nga të dhënat publike rezulton se “Koha” është ndër përfitueset më të mëdha të mjeteve nga reklamat dhe shpalljet shtetërore, pothuajse në krye të listës.
Shifrat e përfitimeve nga paratë publike: Ajo që nuk u tha në reagimin e tij është se vetëm gjatë vitit 2024, gazeta e tij ka përfituar rreth 654 mijë euro nga buxheti i shtetit, ndërsa në vitin 2025 (kur BDI është në opozitë) ka përfituar rreth 791 mijë euro nga paratë publike për reklama dhe shpallje. Dhe këto janë vetëm shifrat që dihen, që janë publike.
Nuk dua të merrem fare me spekulime, se çfarë flitet nëpër kulisat urbane, ato le t’i bëjnë të tjerët. Unë nuk do merrem as me cinizëm dhe ironi të tipit “Dullizma”, “Dullokraci”, “DUI-llonizimi” i medias etj. T’u lëmë këto banalitete gazetarëve që kanë për model figurat më kontroverse të mediave në Prishtinë dhe Tiranë.
Unë e kuptoj nervozën që mund të shkaktojë ekspozimi i këtyre shifrave. Por dua të jem i qartë: ne, deputetët e VLEN-it, nuk kemi dhe nuk do të kemi “Beqa” në radhët tona për të disiplinuar gazetarë apo media. Ne besojmë në debat të lirë, jo në frikësim.
Nëse dikush ka argumente, le t’i paraqesë me fakte. Sulmet personale nuk e zëvendësojnë dot debatin mbi paratë publike dhe mënyrën si shpërndahen dhe shpërdorohen ato.



