KF Shkëndija me kënaqësi komunikon kompletimin e stafit teknik që do të udhëheqë skuadrën në sezonin e ri garues, me synime të qarta për sukses në skenën vendore dhe paraqitje sa më dinjitoze në garat europiane.
Besimi për të drejtuar ekipin i është dhënë ish-kapitenit tonë, Artim Pollozhani, i cili emërohet shef i stafit teknik të KF Shkëndija.
Një emër i njohur për familjen kuqezi, Pollozhani në disa periudha ka mbrojtur ngjyrat e Shkëndijës si futbollist, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Pas përfundimit të karrierës si lojtar, ai ka vazhduar angazhimin në futboll në role të ndryshme teknike dhe drejtuese, duke fituar përvojë si ndihmës trajner, trajner i parë dhe drejtor sportiv.
Bekim Osmani do të jetë ndihmës trajner i Pollozhanit, ndërsa stafi teknik përforcohet me asistentin dhe video-analistin, Kushtrim Voka. Saladin Mustafi vazhdon detyrën si trajner i portierëve, ndërsa Saimir Fetahi mbetet përgjegjës për përgatitjen kondicionale të ekipit.
Stafi i ri teknik i KF Shkëndija:
- Artim Pollozhani – Shef i stafit teknik
- Bekim Osmani – Ndihmës trajner
- Kushtrim Voka – Ndihmës trajner dhe video-analist
- Saladin Mustafi – Trajner i portierëve
- Saimir Fetai – Trajner kondicional
Me këtë përbërje, Shkëndija vazhdon përgatitjet për sfidat që e presin në sezonin e ri, me fokus në ndërtimin e një skuadre konkurruese dhe realizimin e objektivave të vendosura. Skuadra sonte udhëton drejt Sllovenisë, për fazën përgatitore.
KF Shkëndija i uron Artim Pollozhanit dhe gjithë stafit teknik shumë suksese në drejtimin e skuadrës kuqezi.


